Стихотворения Майлинды Башлари(на албанском языке)

Стихотворения Майлинды Башлари(на албанском языке)

FRAGRANCË…

Kisha vdekur një pasdite të hënë për ty.

Unë – isha zonjusha udhëtare…
e rrethuar nga dunet e shkretëtirës
ankohesha për rërën që hynte
mes gishtërinjve të këmbës.

Ishte një i nxehtë që të shtypte
si siset e një gruaje trashaluqe
dhe shume larg… (sa ëndërr dukej)
vareshin litarë të ujshëm

Papritur më tmerroi ulërima jote
Krifa jote zemërake lëpinte dunet
pas hapave të mi

Çfarë stuhie e dashur, senzuale
zëri yt, prekja jote,
gjurmët e hidhura mbi lëkurë,
flaka, mërzia, ankthi dhe tortura

Unë – zonjusha udhëtare…
i shihja të gjitha
vdekjen time dhe vajin tënd
shkretëtirën dhe ujëvarën
të ftohtin e vetmisë dhe vapën e turmës
urrejtjen dhe dashurinë e varrit.

Mbyllur – gjithë dëshpërimin e burrit
në një tingull të shkurtër –
gjithë dashurinë e frymës në një çast të kalbur…

SI U BËMË KËSHTU, ESMERALDA…

(Për E. Bardhin)

Si u bëmë kështu, Esmeralda…
Dikur ndjenim yjet që digjeshin
në një ekstazë mentale të lumtur
mbështjellur nga pluhuri i tyre
përqeshnim pluhurin e rrugëve
stërkalat e baltës pas rrobave
thashethemet konfuze të miqve…

Me dy gota ponç portokalli
cigare elegante ndër gishta
i mbysnim duke qeshur
dhe -“Goodnight Moon1” për ty, e dashur
(për mua që po nisesha përtej Hënës)

Si një kafe që s’mund ta pi në këmbë
si një fetus që s’lindet që në ngjizje
kështu është malli im për ty, e dashur
i tillë që s’mund të shuhet fjalësh elektronike

Janë trashur mjegullat përreth nesh
horizontet vriten përditë –
kuaj të egër, të pazbutur…

Si u bëmë kështu, si u bëmë
si të rënë në humnerë
drejt yjeve sytë i mbajmë
por sa i largët,
sa i paarritshëm pluhuri i tyre
sa e egër…
sa e huaj hungërima e Hënës
që nuk perëndon më prej kohësh…

1 Goodnight Moon – Natën e mirë, Hënë (fusnotë nga s.g.)
IKONA

Kishe qenë përherë aty
me shikimin e keqkuptueshëm të një ikone.
por unë isha lodhur nga zbërthimi i miteve
dhe kënga e sirenave
Sa kish nisur të plaste ujë në anije
dhe flaka e vdekjes digjej
në sytë e marinarëve

Kishe qenë përherë aty
për të ma kujtuar se
ndër njëmijë çelësat që mbaja në duar
asnjëri nuk ishte i duhuri,
por në dëshpërimin dhe ankthin tim
s’munda të shoh se dyert ishin të hapura.
Mjaftonte të shkulej një stuhi gjaku.

Kishe qenë përherë aty
për të më shkundur… se
duhet t’i trembesha fitores më shumë sesa humbjes
por mrekullia qëlloi më e gjallë se e vërteta
dhe dëshira më e fortë se frika

Kishe qenë përherë aty për të më thënë se
syri është pengesa që vonon kohën
por atëbotë ikonat i varnin në mure
dhe i gëzoheshin arit të kornizave

Nuk e dija se ikonat kishin zemër
nuk e dija se të verbërit shihnin të përtejmën…

ÇFARË I URREJ MË SHUMË NJË DITE

Çfarë i urrej më shumë një dite –
Është mënyra se si ajo më shfaqet
me sy të skleposur si cerkat kafe në muret e wc-së
frymën e hidhur që fishkëllen mes buzëve
si era e janarit në plehrat e arixhinjve të Rrapishtes

Çfarë i urrej më shumë një dite –
Është kaosi i dhomës që më sfidon
vuajtja të gjej veshjen e duhur
flokët që kurrë s’iu bindën talentit tim
shpërndarë si sprija në qafë dhe supe

Çfarë i urrej më shumë një dite –
Është pickimi në gjoksin e djathtë
ai teli jeshil që dridhet në sy
ajo zile telefoni si cërritje e ngordhur
që s’më thotë kurrë ndonjë gjë të bukur

Çfarë i urrej më shumë një dite –
Është gjatësia dhe shkurtësia e saj
është drita dhe mugëtira e saj
është hutimi dhe pazotësia e saj
për t’më dhënë një mbrëmje të ëmbël

Çfarë mund t’i mbetet një dite –
Pas gjithë këtyre urrejtjeve… !?

FANTAZMAT E FSHEHURA

Qeshem me frikën e tim biri
prej fantazmave që fshihen në dollap

I them: Janë fëmijë të humbur
që duan të luajnë.
Ushtarë të lodhur në luftra yjesh.
Mbretër me shpata të thyera
dhe princesha që presin të martohen
sapo të dëgjojnë trokun e kalit të argjendtë.

Janë fshehur në dollapin tënd, shpirt
derisa të kalojë stuhia
dhe në cepin e dritares të shkrepë
një mëngjes bukurosh.

Atëherë do të shkojnë në pyll
ku kështjellat shemben e ngriten
si bregut të detit në verë.

Ndërsa të qetë atë e merr gjumi
me thonjtë kapur fort pas mishit tim,
shoh Friken të shtrihet pranë meje
me gisht më tregon drejt pyllit të zi
fantazmat e varura në degët e pemëve…

PROZAIKE

I hëngrëm dyzetmijë të vdekur për drekë
na çorrën zorrët ca kocka të patretura mirë
por më në fund, i hëngrëm.
Varrezat e përbashkëta nuk janë kurrë më madhështore
se ndërgjegjja jonë
më të thella se stomakët tanë
dhe ç’është e vërteta
aspak më konspirative se gjuha jonë
gjithnjë i nxjerrin mbeturinat e festave në sipërfaqe.

Cili është kuptimi i zhvillimit
kur ne mbetemi po ato egërsira…
që thuhet se gjalluan miliona vjet të shkuara
Vetëm centimetrat e trupit dhe vitet e jetës
janë rrudhur si lëkura e shagrenit të Balzakut.

Mos ndoshta, prandaj im bir, Aleksandri
ka zgjedhur të dashurën nga fisi i dinosaurëve.
Ah, ndoshta ajo i duket…
më e bukur, më e ndjeshme, më e ëmbël
se Anxhela që jeton një derë më tutje

Në heshtje i jap një bekim të frikshëm
Unë, mëma-madre-materia…
Që akoma besoj tek Dashuria por jo tek Njeriu.

Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj

(Botuar në “Gazeta e Athinës”, qershor 2007)