Яндекс.Метрика
 
Стихотворения Лиды Лазай (на албанском языке)

Стихотворения Лиды Лазай (на албанском языке)

Оригинал материала находится по адресу:
andimecaj.webs.com/poezishqipe.htm

NË ERË

 

Asgjë s’kujtoj nga peizazhet e para njëmijë viteve, kur isha pluhur

As se si u gjenda në largësitë astronomike të relievit të përthyer të trupit të babait

E me sa mund më mblodhi pikë-pikë me rrëmbat e gjakut

kur mendoi të ndërtonte mbi shpatulla çerdhen e zogjve të vet

 

As se si u bëra zemra e Big Bengut që i plasi nënës në zgavrën e barkut

 

Me xixëllonja e aroma jargavani parfumon në kujtesë koha

kur rritesha si flutur, duke djegur flatrat ditë e  duke i endur natën më të bukur

 

Herë flakë e zjarr, herë borë e akull

Herë e vdekur shkoj në funeralin tim

Rimishërohem në stacione dashurish

 

Në vragë dyshimesh udhëtoj

»Kush jam, ku shkoj?»

 

Si unazë Saturni më rrethon një magjepsje mashkullore

Si zë përherë në erë

 

Dhe ndihem femër

Frut ekzotik, me aromë dhe shije njeriu të mirë

Përshpirtje me gjethe

 

Të dashurit tanë të vdekur janë këtu

Ati im, Njeriu yt, dhe nëna ime gjithashtu

 

Kujtoj një vjeshtë teksa mundohej

Një pirg me gjethe ti bënte zap me fshesë të bredhtë

 

Ato si gjuhëza flakësh e qerthullonin, i masnin shtatin

Ajo dihaste ,bënte pirueta si balerinë

Era i rrëmbente frymën e zëshme dhe lahurinë

 

Ja, tek e shoh

Statujë të ajërt në shtjella gjethesh

Zëri i saj janë këto tinguj e ngjyra vjeshte

 

Të dashurit  tanë të vdekur janë këtu

Dhe nëna ime gjithashtu

 

Se është kjo vjeshtë

Dhe kjo vjeshtë

Është gjithësia e paskaj

Sepse jam unë

Shigjetë e flakur e harkut të saj.

 

MUNDEM

 

Nën këtë qiell plot yje të shndritshëm

Plot frymë shpirtrash që vibrojnë

S’jam thjesht soditës

 

Në universin e pa fund jam grimcë e gjallë

Jap sa mundem

Marr sa më duhet

 

Me fjalën e artë

Ndjenjën e zjarrtë

Një gur që vegjeton në anën tjetër të horizontit

Mundem ta zgjoj

Ta shndërroj në trup elektik

Në Diell të vogël

 

VETËM NJË HERË NË TERRITORIN

E TË MARRËVE

 

Do kridhem në vezullimet e pijes fisnike

Në fund të gotës të gjej guximin

Të dal nga rreshti

Ku të gjithë hedhim hapin uniform

 

Dhe do kaloj në territorin e të marrëve

Ku rend e rregulla janë analfabetë

Ku gëzimi shpërthen si verë e vjetër

 

Në eliksirin e pijes së fisshme

Do zbuloj Ishullin e Pashkëve

Ku ora e busulla çmenden

 

Në ma mohofshin vendin në rresht

Mes vezullimeve le të vdes

Si peshk i lumtur në korale

 

Se rron kush rron

Sikur dhe vetëm për një ditë në territorin e të gjallëve

 

UNË VETJA TJETËR

 

Ajo është lënda unë brenda saj

Herë e mbështjell si një mantel

Herë qëndroj heshtur përmbi të

Dhe e kundroj

 

Se si firon, numëron eshtrat dhe i rendit

Dhe formëson sërish strukturën

S’ka faj

Udha e Sizifit pluhur e gurë

Pas çdo fitoreje një tjetër kurth

Shkrihem me të, e puth e qaj

 

E fajësoj dhe e mallkoj

E lë mbi shtrat dhe ku më thërret muza iki larg

Dhe kthehem prapë

 

Unë fluidja

Unë e magjishmja

E perëndishmja

 

KAQ PAK TIRANË 

 

Në rrugë e sheshe, kafe e pub-e, periferi e ministri

Si duhmë province nëpër urbanë

Të ngulen në brinjë, si rërë në retinë

Minifundi-xhubleta, plisi-kasketa, fisi -murrizi

 

S’e gjen pak Tiranë prej dheu të butë

Në Tiranë kanë zbritur malet me gjithçka

Me doket e risitë

Me kafen nën gju, fishekun në pajë

Me burra e gra, fëmijë e pleq, engjëj e dreq

 

Pak Tiranë fjalëurtë s’e gjen

Në të gjitha dialektet flet

Huri e guri, grushti e pushti, leku e gjerdeku

Gjuha zyrtare e mir(keq)kuptimit

Me kanun është zgjedhur gjuha e ma[ha]leve

 

Klithma fasadash të qelqta, billborde, gazeta

Antena flugerë në erë

Të ngulen si spica në shqisa

 

NË UDHËTIM

 

S’jam si dje

planet i ngrirë

trukuar bukur e mirë me ngjyra e gjeste

blerë lirë në shitoret e etikës

 

Hedh hapat mbi gjethe të rëna

pa dhimbje se ato vdiqën

 

Dhe ato vetë flakërijnë nëpër erë e heshtin pellgjeve

sikur e dinë

se në mos zogj

 do bëhen ujë

dhe pranverën a ardhshme

përmes trupit të pemëve

sërish do bëhen gjethe

e do mbushin ajrin me pëshpërima të klorofilta 

 

S’jam si dje

sot udhëtoj si këngë, si lumë,si gurgullimë  

Shkaku?

Dy sy qiellorë brenda meje

   

Përgatiti Andi Meçaj