Оригинал материала находится по адресу:
andimecaj.webs.com/poezishqipe.htm
MISTERI I ADAMIT
-Adam, shtrihu në hije!
Adami shtrihet..
Ai projekton..
ngul daltat e tij imagjinarë mbi të..
Ai krijon..
Adami s’ndien..
Adami vështron..
Adami, i habitur, pyet..
-Ç’po bëni kështu?
-Është surprizë për ty, Adam, mos u shqetëso!
Adami qesh..
Adami vështron..
Adami merr në krahë surprizën..
Adami dhe sot vazhdon t’a kundrojë,
po aq këndshëm, sa dhe herën e parë..
me shpresën se së shpejti
do t’i vijë dita,
që ai të fillojë,
ta kuptojë…
misterin, që nga trupi i tij
gdhendën..
MOS E KURDISNI ORËN, ZOTËRINJ!
Ç’vlerë ka kurdisja e orës?
Ajo të njëjtën gjë tregon!
Rrahje, rrahje pa mbarim…
Rrahje, rrahje pa destinacion…
dhe do të klithë,
dhe do të lodhet,
dhe do të pushoj,
lëreni!…
Mos e kurdisni më orën, zotërinj!
Ajo, nuk ka tjetër funksion,
veçse të zhbëj kohën,
sikur rrahjet e zemrës,
që për inerci, një ditë, do t’i ndalë…
PERSE?
E ngjeve penën
në katranin e zi të natës,
që eshklat e inatit e kishin
flakëruar gjatë mbrëmjes;
dhe në mëngjes, hirin e tyre
mblodhe vaditur me lot trishtimi
e në mbrëmje torturoje veten
me të njëjtën pyetje…
ku dhe oratori mbeti si kuak,
E përgjigjen kurrë nuk ta dha..
PËRSE?
VALLE?
PËRSE?
HESHTJE!
Fjala ngel në buzët e thara
pa dashur të kapërcej atë hendek,
në buzët e çara që dridhen
dhe shkunden si gjethet nën degë.
Fjala ngel, por heshtja ime flet
në këtë errësirë pa fund,
mesazhin memec e përcjell në zemër
dhe sytë me lotë i mbush…
Nuk mund të them asgjë
asnjë fjalë nuk mund të nxjerr
prandaj heshtjes i hap rrugën
që zemrën, ty vetë, të ta çelë.
TRISHTIM I ËMBËL
Shpirtin fillove të ma pikturosh një ditë,
të vrarë, pikëlluar, si film bardh e zi,
me shpresa te vdekura,
pa ëndrra, dëshira..
pa drita jete..
Penelin ngjeve fort në bojën e zezë
e skaj për skaj shpirtin tim hijëzove,
theksove limanet e tij,
errësirën egërsove
vend për dritë, nuk le…
Si një mjeshtër pastaj firmën hodhe
vështrove shpirtin tim të brishtë
me ëmbëlsi i buzëqeshe.
Derisa të dorëzohej i tëri
duke u ngjyrosur me trishtim…
PEMA E DASHURISË
Oh miku im,
e mban mend pemën
nën të cilën
lutjet e dashurisë sonë, pëshpëritëm?
Ajo ende rritet..
njëkohësisht, me plakjen tonë,
Ndërsa lutjet,
Oh, lutjet!..
Ato pafajësisht shushurisin në çdo degë….
Dhe nëse era një ditë do t’i fryjë
Apo padashur mbi tokë do bien
me amanetin e dashurisë sonë
rrënjën e filizit të ri
do ushqejnë…
DUEL I PAMBARIM
Të flas në heshtje,
Me vështrimin ngulitur në sytë e tu.
Në bebëza
ta shigjetoj
shpirtin tim…
si luftëtare,
me veshje të hekurt
para teje qëndroj.
Në të fundit dyluftim,
të ftoj…
Ti hesht..
Në gjunjë bie…
Shpirtin,
në duart e mia beson..
Ndjesën,
nën të dridhshmet buzë,
e pëshpëritë…
dhe qepallat,
rënduar të rrahin,
një puhizë përgjërimi…
Sa çudi!…
Gjithë jetën luftojmë,
E kurrsesi të vritemi!
NIMFA E PELLGUT TË LOTËVE
Jam nimfa e pellgut të lotëve
aty ku ti, mëkatet lan çdo mbrëmje
dhe pellgun tim, trazon
dhe pellgun tim, turbullon
dhe pret,
dhe pres,
derisa mjellmat kokën mbi sup ta varin
e qetësia e plotë të mbizotërojë.
Dhe flet
dhe flenë.
Unë, Muza e gjumit tend,
me lotët e mi,
trupin tënd të lagësht,
filloj ta freskoj…
NUK JAM PENELOPA!..
Kujtimet,
në ditar, më, nuk i mbaj..
Gjatë ditës,
në trup i mbledh
I ujis me gjak
freski u fal..
E natën…
i vargoj në gjerdan të jetës
duke i lidhur
me fije merimangash…
Mos ki frikë!..
nuk jam Penelopa,
në pritje të së papriturës…
Veç dhimbjen palos
në dollapin e vjetër
e digjem si një kartë…
Kujtimet, nuk i ruaj
Në arkën e shpirtit
Sepse, kujtimi, vetë jam!
I (PA)FAJSHËM
Zoti, pas lutjeve të mia,
retë i shprishi një nga një
dhe i shtrydhi mbi vaskën
ku ti fshehtas, trupin tënd po laje.
E format e tua
që mbi ujë kridheshin,
ëmbëlsisht,
dalëngadalë
filluan të shpëlanin
pafajësinë,
hyjnore…
SI NJË BUSULL
I klitha kohës
për flokësh e kapa
misteret
pelerinës së saj
doja t’ia merrja…
E ta lija
si qiellin,
pa yje.
Si detin,
pa valë.
Si erën
pa tufane,
pa ngrica
batica apo zbatica…
Mbi duar,
Veç një busull më la
ruaje kujtim, nga unë – tha.
Dhe iku,
Fluturoi
Në shtegtimin e saj…
SI NJË LULE..
Si një lule që petalet shkund nga era
në dorën tënde u gjenda…
dhe ti…
petalet e lules fryje…erëzoje lehtas
kënaqeshe me lëkundjen e tyre…
E lulja…
adhuronte lëkundjen e krahëve të saj
nën frymën tënde…
Si një lule që petalet shkund nga era
në dorën tënde u gjenda…
dhe ti…
me duart e tua si një fëmijë e preke,
petalet ia ledhatove ëmbël…
Dhe lulja..
Ndjeu prekjet e dorës tënde mbi të
e hyjnizuar, kokën mbi duart e tua vari…
Si një lule që petalet shkund nga era
në dorën tënde u gjenda…
dhe ti..
i mërzitur se lulja, mbi dorën tënde kokën vari,
petalet fillove t’ia shkulje… një nga një…
ÇAST
Mos i përgjo hapat e mia,
që heshtazi,
hijen tënde po ndjekin
për të vjedhur dhe një çast,
të vetmin çast,
imagjinar,
që kurrë nuk e jetuam…
Më lejo, vetëm një herë
kokën, mbështetazi ta lëshoj,
sipër kraharorit tënd,
me të vetmin lot, ta njom.
E ti, zemërlotur, me buzët tua
do njomësh, të thatat buzë, të mia…
LOTËT E NJË MASHKULLI
Në sytë e tu zhytem,
që lotë së brendshmi rrjedhin,
ujëvarë e një shpelle të nëndheshme
perlë në gjeografinë e shpirtit…
Zemër plasaritur nga acarët e jetës
fytyrë eshtake, që lotët e zemrës
transformon mes heshtjes në kapilarthë shprese…
NUK KAM FAJ!
Nuk kam faj pse në këtë botë erdha
e papërlyer isha nga mëkatet
por, sa shkela këtë botë misteresh
përlyer më latë, më bëtë si djajtë.
Si engjëll nisa shtegtimin për këtu
e ndoshta dhe engjëll do iki përsëri
mëkatet ordinere që përlyen trupin tim
do i djeg njëherësh, n’atë botë s’mund të rijnë.
Nuk u pata faj se me paditurinë time
juve vëmendjen heshtazi ua vidhja
të qeshurat tuaja mendjen më tërhiqnit
të bëja si ju, ashtu më mësuat!
Nuk u pata faj kur u bëja me nerva
as dhe kur gaboja nuk u pata faj
ishte padituria ime ajo më tunduesja
apo indiferenca juaj e pafat?!
NËNË
Nëna ime mos rri përlotur,
mos rri e ngrysur në vetmi…
Lotët e tua më lër t’i thaj,
me frymën e shpirtit tim..
Duart e tua, lëkurë rrjepur,
m’i lër t’i puth, t’i ledhatoj..
Kallot e tua në trup e zemër
m’i lër t’i zbut, të t’i mjekoj..
E shtrenjta ime e përmalluar
Që si një llavë mallin shpërthen
Dëshirën e zjarrtë ma rrëfen
Që gjithnjë pranë të më
Por, largësi tejoqeanesh ne na ndau,
Sa shpejt unë ika, mbete ti,
Në një dhomëz, e lodhur e plakur
Atje po digjesh, si një qiri.
GONXHE O LULE
(Nënë Terezës)
Thonë se engjëjt vdesin shpejt,
sepse janë te pafajshëm.
Ata, nuk i tjerrin mëkatet
në furkën e jetës.
As të keqen nuk e veshin
me vello të bardhë.
I këndojnë një luleje të vyshkur,
që një pranverë të re pret,
dhe ngrohin një endacak,
që shirat e rrugës mbledh
dhe një plak të braktisur
qe zvarritet tuneleve të jetës,
i harruar nga çdo shpresë.
Por ti, jetove dhe fale.
Dhe ëndrrat
Në çdo zemër të mpakur
Ringjalle.
MJAFT MEDUZA!
Mjaft i zgjate gjarpërinjtë e tu, Meduza!
sorra krakëllitëse mbi pafajësinë mos hidh,
natës i mjafton katrani i mëkatareve,
helmin vdekjeprurës, mbaje ndër dhëmbë, ti!
Mjaft i ngjeve qiejt me katran, Meduza!
Lëre kaltërsinë lirshëm të frymoj,
pranvera ngopet me të vetat lule,
Jetës që shpërthen, fre, ti si vë dot!
Mjaft e derdhe mllefin gjithandej Meduza!
Dhe e bëre botën të zhytet në vrer
Kudo që vështrove, shkëmbinj shkrepa mbolle
dhe lulen e njomë shndërrove në ferrë.
Tani, shpëto shpirtin tënd, Meduza!
Se sot a nesër, një Perzë do lindë,
Ti dhe Luciferi ndër flakët e ferrit
Shpirtrash përpëlitur, do jeni, gjithnjë.
EJA..
Do të vish përmes ëndrrash, e qerpikun t’ ma drithërosh ?
Me fustan të bardhë do vishem dhe flokët do t’ bëj kurorë.
Përmbi ballë do rrëzëllejë një i vogël yll qiellor,
Ndërsa shpirti, mirësinë, dritën e zemrës do tejçojë.
Ti veç eja, mos ki frikë, s’do përmend faje, mëkate,
Unë akoma jam një nimfë, do t’ringjall dhe kësaj nate.
Do të ngroh dhe trup, dhe shpirt, sado ftohur ti të jesh,
Një altar për t’u rrëfyer, gjithmonë hapur do ta gjesh.
Bashkë do ecim nëpër natë, ta ndriçojmë muzgun e hirtë
Do fluturojmë pllajave të mallit, derisa nata të jap shpirt.
Derisa lartë të ndizen yjet, të marrim formë të përjetësisë
Pas disa shekujve le të thonë, ja dy mumie të dashurisë…
Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, qershor 2009)