MERIMANGA
Zgjat me frymë një fill të hollë
dhe me art të përsosur shtrin rrjetën e saj.
Në diell rrjeta e artë shkëlqen –
për të joshur një mizë budallaçkë.
Dhe ëndrra ime e dashur si një merimangë
nga çasti në çast shtrin dhe thur një kurth,
të artë dhe kaq tërheqës, e di:
jam ajo mizë e vogël.
BUZEQESHJA E VERIUT
Ngjyra ylberi mbi borë
përmes një pike loti të ngrirë.
NETE TE BARDHA
Burim i fshehtë drite
rufit granitet dhe kopshtet.
Neva është tejmbushur me qiell trëndafili,
qielli me lumenj pëshpërimash të kaltra.
Dhe dy të rinj ecin krah për krah
me hap të ngadaltë dhe të kujdesshëm –
për të mos ta humbur këtë dritë
që hyn nga zemra në zemër.
DASHURI
E humba ecjen indiferente,
e humba buzëqeshjen arrogante
dhe heshtjen e butë të shpirtit,
freskinë në vështrimin e papërqendruar
dhe gjumin e natës.
I humba mendimet që më tërhiqnin,
rebelimin dhe lirinë,
ato që më befasonin dhe tingullin e këngëve –
kam humbur gjithçka, por jam më e pasura
më dorëlëshuara e botës.
PERQAFIM
Zemër brenda zemrës. Frymëmarrje brenda frymëmarrjes.
Kaq afër meje, saqë nuk mund të të shoh.
Përtej shpinës tënde vështroja një mal të errët.
kur u nisa në një start për të të kapërcyer.
Ndjeja rrahjen e zemrës së çmendur të yjeve.
Mblidhja erën e tërbuar të veshur me gjethe.
U hapesha hijeve të pyjeve që vinin përballë
dhe degëve që zgjateshin të përqafonin natën.
Largësinë thithja si një gllënjkë të pamatë.
Shtrydhja erën, retë dhe yjet në gjoksin tim,
në qarkun e ngushtë të një përqafimi
mbyllja gjithë pafundësinë e botës.
PA DASHURI
Nga ky çast do jetoj pa dashuri.
E lirë nga telefoni dhe rrethanat.
S’do të vuaj. S’do të kem dhimbje as dëshirë.
Do jem erë e shfrenuar, përrua prej akulli.
S’do të jetë e zbehtë në netët pa gjumë –
as e përflakur fytyra ime.
Nuk do të bie në greminën e dhimbjes –
as në fluturim s’do të jem drejt qiellit.
S’do ketë më ligësira –
as gjeste miqësie pafund.
Jo më hije nën sy, por dhe atje larg
s’do të hapet për mua horizonti i tërë.
S’ka më pritje, ka mbaruar mbrëmja –
as agimi nuk do të lindë për mua.
S’do më gozhdojë më fjala e ngrirë –
as zjarri i ngadaltë s’do mundë të më përflakë.
Nuk do të qaj më në sup të pamëshirshëm –
as do të qesh me gjithë zemër.
Kurrë s’do të vdes për një vështrim –
kjo do të thotë të mos rroj më realisht.
LUMTURI
Në fund të kësaj nate
errësira mund të më mbyste
nëse pranë meje s’do të ishte ai –
dritarja e hapur, e ndriçuar
nga e cila frymoja ajër.
NDRIÇIM
Në pleqëri hyj në majë të këmbëve,
si në një pyll në vjeshtë,
hap pas hapi mbi gjethet e gjalla
që bien ende.
Përpara meje rri – pema e jetës.
Dhe ngadalë me vështrim të ankthshëm
kërcej drejt së shkuarës
dhe zbres në ditët e ardhshme.
Më në fund! Sa e pamat për mua
kjo ecje e ngadaltë.
Drejtimet s’kanë mangësi kthesash.
Largimi nuk bën keq.
S’të godet gongu i hënës.
S’mund të jetë i lidhur
shpirti që shqyen zinxhirët.
Nuk mund të të marrin
atë që ke dhënë.
Më ngelet një pikë
e fundme, e pambarimtë drite.
Që mbjell paqe anembanë botës.
DERISA TE QENDROSH NE KEMBE
Mos harro të gëzosh! –
pemët e mençura pëshpërijnë
dhe me gjunjtë e prera
bien me gjëmim në errësirë.
Mos harro të gëzosh!
Derisa të qëndrosh në këmbë
derisa të vesh kundër erës
derisa të frymëmarrësh në lartësi.
Derisa errësira të jetë e përgjumur.
NE KOHE
Humbas në barkun e perëndimit
ku kryqëzohen
kujtime dhe ëndrra.
S’kam më majë
të ngjitem.
Do të arrij në kohë,
do ta gjej rrugën,
derisa të jetë e errët rruga
nata që bie.
PERDITSHMERIA
Të vrarët e nesërm
shohin sot në ekran
të vrarët e djeshëm.
Dhe çdonjë rithotë me vete:
Jo, s’mund të më ndodhë
një absurditet i tillë!
AUTOPORTRET
Kandil nate i harruar,
që s’i shërben më askujt,
flakëzbehtë, ti shpërdorues qesharak,
rri ndezur gjatë gjysmës së ditës
gjithnjë i vetmuar,
në kërkim të rrugës –
të rrugës së përshkuar…