NJË KETER NE PYLLIN ME PISHA
Kurioz ky ketër i bukur në pyll,
Turiçkat i zgjat fët-fët s’di se ku
Si çadër, statik bishti i pushtë,
Mahnitës në tokë,
Mahnitës në dru!
Syçkat si rruzuj çuditshëm m’i ngul,
Me xixa, ngjyraplot si një oaz,
Romanca vështrimesh flirtojnë sakaq,
Ai mbret në pyll,
Unë skllave në kafaz!
Mbi degën e një pishe magjik qëndron,
Një ketër si ky, ç’t’i duhem unë?!
Nuk është më kurioz, bishtin përkul,
S’më do as ky ketër,
në pyll un’prish punë!
20 prill 2005
LOJA E FLAKES
Loz me qirinjtë në flakë lozonjare
Shkrihet një mal e bëhet det
Luftë e tmerrshme për jetë a vdekje
Fitili në flakë i vetëm si mbret.
Loz me qirinjtë të shuaj flakët
Po flaka gishtërinjtë m’i ndez
kam kohë që zërin tënd s’e dëgjoj
Qirinjtë të mos shuhen, lutem e pres.
loz me qirinjtë në flakë e zjarr
Rrekem me shpresë cazë dritë të marr…
Ka ardhur koha hardhitë të përdridhen
Rreth trungut të pemës në zgjatje pambarim
Me puthje valëzore kërcell e gjethe
Luhatje tingujsh në tundim.
Ka ardhur koha që nën dhè të shkrifet
Një simfoni gjallesash të gëlojnë në pyll
Me ngjyra zogjsh e ketra kuriozë
Ku dirigjent bëhet një yll.
Ka ardhur koha të shkojmë edhe ne me ta
Në pyll, mbështjellë pemësh e nën dhè
Nën tinguj simfonish e shtrat gjethesh
Të harrohemi cazë atje.
Ka ardhur koha e ringjalljes…
Epilog
E ke dëgjuar gjethen kur bie si qan,
Dhe klith në bisht të saj një kërc i njomë?
E ke dëgjuar lulen si petalet hap
Dhe pëshpërit plot aromë?
Ka ardhur koha e parajsës…
JAM VJESHTE E S’JAM NJERI
Në vjeshtë s’jam, më “Baby”,
Jam vjeshta dhe gjethja e trishtuar.
Kur të vish,
Nën këmbët e tua kockat do të më kërcasin.
Që jam një gjethe,
Prej kohësh do të kesh harruar.
ANKTHI I PRITJES
Tendoset çasti mes orësh të gjata
Mes ditëve pa ty hyn një korb,
Limanet përgjumen pa ardhur nata
Me gurët dhe zhurmat futen në morg.
Përfyten damarëve zërat e plagët
Beteja e gjumit gjakos syrin tim,
Liqenj dëshpërimi shuajnë vlagët
Hapësira tulatet pa shpresë në kërkim.
Tendoset shkëmbimi i valës në breg
Ditët pa ty nuk kanë cak e kufi
Ka ngrirë gjithçka po akulli djeg
Ka ngrirë e pret të dukesh ti.
KISHIM PLOT GJERA TE BUKURA PER TE THENE
Kishim plot gjëra të bukura për të thënë
Për shembull, e mban mend filxhanin e kafesë
Që ma dhurove atë ditë të bukur shtatori
Kur çuçurisja “Të dua” në shtrat nën mbulesë ?
Për shembull, kur fjalë këmbyem në trotuar
Për ngjyrën e flokëve dhe shijet e tua
Kur kokën ma afroje, në vesh më pershpërisje
“Po ty mbi të gjitha më shumë të dua!”.
Për shembull, pa shkak kur qeshnim çmendur në shtrat
Për sytë kureshtarë të fqinjës përbri
Me faqen mbështetur qetë në faqen time
Më thoshe “ti je një mrekulli!”.
Për shembull, një pilivesë që ma dhurove
Rreh krahët si valë të bardha në gjoksin tim,
Thonë është shenj fati të të ndjek pas
Një pilivesë me gurë të shndritshëm si një agim…
Por ndodhi…çfarë ndodhi?! As vetë nuk e di.
Gjithçka venitur sikur të mos ketë qenë,
Nuk çuçurisim, dhembjet kanë zënë pritë
Kur kishim plot gjëra të bukura për të thënë…
Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, maj 2009)