Стихотворения Хиды Халими (на албанском языке)
HUMBESIT E GEZUAR
Kur të mbërrini në këtë qytet.
Ju shkelni mbi shorte të dhunuara
Mbi gazin e shuar të breznisë.
Nxitoni kush më parë në Log të kuvendit,
Shtyheni për tu ngjallë në Marathonomak
Kush më parë
Ta komunikojë fitoren,
Triumfalisht.
A do të ketë dafina të njoma?
Me se do t’u thurin oreolin e Lavdisë!
Janë rralluar brishtat buzë Drinit,
Ibrit dhe Lepencit
Hirësi!
Verë e egër mori sivjet.
Kur të zgjohen humbësit e gëzuar
T’ia thonë simfonisë së tretë të Bethovenit
Alegro apassionato
Me zëra të shqyer, me duar të shtjerra,
Mos ua zini për të madhe, i kanë harruar akordet,
Mund tu lajnë me lot gëzimi
Tu terin me buzëqeshje të përjargura…
Le pashë Zotin
Sot është ditë feste, s’ka kuptim.
Prishtinë , 28 nëntor ‘97
SKLLAVET E LIRISE
Thashë, ka rënë borë e butë
Të dalim në kafeterinë e qytetit
Ta çelim ditën me “Skënderbeg”
Esëll.
Kur të ma mbash fytyrën në pëllëmbë
Të lutem mos rrah qerpik
Ta shoh edhe një herë pastoralen e dashurisë,
Ta mësoj nga bebëzat e tua;
deri kur të vijnë miqtë e vjetër
Me Bahun e Moxartin të na zgjojnë… Alegro assai
dhe hapa mbi borën virgjër…
Por… aty vjen Ajo kurvë stërkurve, liria
Rivalja e të gjitha dashurive të botës
Si Medea
Të merr… të merr…të merr…
Ndalem në qetësinë e kësaj shtëpie
E lypi veten
Para se të bie në acarin e flakës tënde
Para se të dal në vargun e grave
Në atë parabolë fute,
që ngjitet në varrezat e qytetit
Me nga’i degë qarri në dorë
Për ta shënuar varrin e dashur
Atë dhé të çelur për ngut
Dhe bie në gjunjë ajo tufë sorrash që zija e mortjes
E ka ç’graruar
Secila mbi varrin e dashur.
Aty dikur vjen edhe Ajo,
Liria
E butë, virgjër, e ëmbël,
e ndriçuar dhe e frikshme,
Si Zoti
E lusim të na i falë mëkatet që s’i patëm,
Se ne, ia falim të gjitha.
Etërit, bijtë dhe dashnorët… të gjitha.
Prishtinë, mars ‘99
TI PAS MEJE N’ATLANTIKUN 99
Të kundroj, tek krisi gishtërinjtë, në skaj bote,
Nga një kënd i një farë shtëpie,
Ç’ prej se të lashë Prishtinë.
Ku jam e ç’ kohë bën, për mua s’luan gjë,
Sa herë zgjohem nga ky shtrat mërgate, që Zoti e di
sa vetë gërrhaten në te,
E lypi pamjen që e lashë, po s’ më braktisi.
Të shoh ty:
Pas tercës me trëndafil të ngrirë,
Shtresë e hollë bore që gdhinë në qytetin ku cicërojnë fëmijët,
Ku shahen për një çamçakëz,
Ndarë padrejtësisht me dhëmbë…
DHE KREJT VETEM UNE E TI
Ku e thyen qafën miqtë e mirë,
Orë e heshtjes i shitoi, s’flet kush për
“Kanjushën e Verdhë ” poetët që i vramë,
Përse i zdritën netët e Bartolomeut Dardan,
Dreqi e rroftë! Kemi frikë.
Ne s’i duam profetët mëkatarë,
Diku u këndon epitafe një bariton i shqyer
Kujt akordi s’i pengon.
Borë marsi, prilli e maji 9,9 n’ këtë pranverë
Dhe fëmijë që hahen si gjelat
Për ndihma humanitare
Pampers, tambël druri dhe… pak dashuri.
PRAPE TI PRISHTINE
Mesditë është dhe rrugët janë shterë,
Çfarë telefoni idiot!
Askush s’përgjigjët në te.
Memecëri e ndytë, në gjithë këtë qytet.
Ç’u bë ai det njerëzish?!
T’ ëmën e s’ ëmës! Askujt buza n’ gaz s’i shkon,
Kush s’e di një barsoletë të mirë!
Sa për një mahi të hidhët, në këtë pikë të qetësisë,
Vetëm pranverë 9,9,9 dhe 9
Ku era hedh qese najloni e fryn pantallona uniformash
Me folklor të Shumadisë.
Dikush më dha shenjë me buzëqeshje, dje në varrim.
I dashur mu duk se ishe ti; edhe pse e di se nuk vjen aty
Ku të gjallët thërrasin, “lum si ti”,
E rrejnë një kufomë.
Dikush preku n’ gaz, krejt si ti, më dërgoi puthje me gisht…
U çart edhe poeti i mbarmë në këtë qytet!
Çfarë arrogance pash Zotin, sikur s’kemi tjera punë,
I kalojmë ditët në ceremoni varrimi
Mbi arkivole prekem me shikim
Dokrra shpirti im, llafe.
Kush tha se gazi u shua?
Përse u çnjerëzua një poet!
Jo, aspak
Se jemi njerëz, gëzohemi si çdo kafshë e butë:
Aty kur blejmë supë me këste,
Kur e mashtrojmë patrullën, me t’u shtënë serbë…
Si the?!
Sa pare i ka fytyra pa leqe, nderi e…
Prano.
S’e vlejnë një bukë fabrike, një birrë Peje, jo se jo.
SHIH ÇFARE TE BERA PRISHTINË
Mu thaftë dora e Mira ime,
S’ta shkrova një fjalë të mirë,
Përherë një dorë ethesh më dridh.
Gjithë kjo borë në gji!
Mu marrtë goja, s’ta thash asnjë varg,
Për erën bli në verë, udhët e zëna me nektar e njerëz
Që pështyjnë tri here Orët e Liga n’ gji,
Sa shqip!
Belbëzimet që t’i qesin njëmijë vargje në ditë,
Gjithë këta poet të këqij!
Por, s’kanë ç’të falin tjetër, Prishtinë.
Më plasshin sytë.
S’ta thura një pikturë, aso që laikët i shesin në rrugë, krejt lirë.
Për me të marrë me të mirë,
Me të rrejt se s’na vjen era mut, kur shohim pika gjaku.
Se… se… deshëm diçka në ty.
Ç’e do këngën time verdh si lakra!?
Për këta fëmijë nervoz, që grithen, ngrehen për flokësh
Kur zihen për politikë
Apo për këta etër, që aktrojnë qetësi
Dehen me Kokakolë
Teren në tym duhani Ballkanik
Me ambalazh “Marlboro”.
E di! S’ke pse më ndien mua gjak humburën,
Por, zë besë Kosovë
Se aty ku të gjallët e rrejnë një kufomë,
Buzëqeshi i mbarmi poet. Vetë miku im.
Tash, thonë, çka s’thonë … se të nxinë tokë e qiell,
Se të shprishin bombat Kosovë,
E këtu, gjë nuk ndodh, pak kush bën kryq,
E lëkundin dallgët Atlantikun.
Cognace, Francë, korrik ‘99
Përgatiti për botim Hiqmet Meçaj
(Botuar në “Gazeta e Athinës”, shkurt 2009)