(Mimoza Ahmeti)

FIKJE

Ti kaltërim ke qenë dikur. U erre.
Nuk e kupton çfarë do të thotë kjo?
Kujto se si vërsulej rrezja ime
shigjetë drejt qiellit tënd.
- Kujto.
Kënaqësi e sigurisë të erri.
Tani shpotit të tjerët, duarxhep.

Po buzagazin aq krenar të paqes
përse fytyra jote më se jep?

Si paralajm në ato mbrëmje prilli
me heshtje plumbi ma prisje çdo fjalë.
Ti kaltërim, ti egoist i kaltër,
m'u fike në duar ngadalë.




JASHTË DHE BRENDA MEJE

Jashtë meje
gjithë bota zien në luftë e në ëndërr.

Po dhe brenda meje
gjëmon zëri i saj.

Jashtë meje
dashurojnë, vriten, lindin
miliona.

Po dhe brenda meje
dashuria,
vrasja,
lindja
me të njëjtin shkulm veprojnë.




KËNGË

Të mbije ti,
po jo si lulja.
Si vullkan të mbije.

Të ngriheshe ti,
po jo si zogu.
Si diell të ngriheshe.

Të bije ti,
po jo si gjethja.
Si rrufe të bije.

Lulja, zogu dhe gjethja
lërmë të jem unë.




LETËR

Për ndarjen tuaj nuk dua të shkruash.
Frymëzimi yt nuk i falet ndarjes.
Sepse edhe me yllin me të ftohtë, më të largët,
poezia jote këmben sinjale.

Një, fletë e bardhë, fare e bardhë,
me një njollëz blu, blu në skaj -
kjo është poezia që mund t'i kushtoje
ikjes së saj...




ESHTE ÇUDI KUR JE FEMER

Mua tani më vjen për të qarë. Më duket sikur
shkarkesa yjesh më janë grumbulluar te sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave nderas tërhiqen
kundrejt njeri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.

Më vjen për të qarë. Jam bërë barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilat e kuq
kushedi ç'udhëtim të mahnitshëm
kanë marrë.
Është çudi kur je femër...
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit...
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për të qarë, për të qarë,
ngaqë se si është, është me barrë.
Në ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilat e kuq
kushedi ç'udhëtim të mahnitshëm kanë marrë...




LETËR MAMKËS

Mamka,
mos ta lexoj këtë letër tjetërkush veç teje,
jo se sekrete, por ende nuk jam e fortë plotësisht
për t'i mundur këto që po të them:
Tirana është fare e zakontë.
me ngushtësinë e shtëpive të ulëta,
me udhët e lodhura të dimrit,
me një pesëmbëdhjetëkatësh në qendër
ngritur si utopia ime,
me roje të përforcuara në udhëkryqe
ambasadash,
me policë-qukapikë qershori të zbehur.

Diç parandej, mamka!
Kurrë shteti nuk ka qenë kaq përballë njeriut,
kurrë tradhtia e burrave nuk ka qenë më në modë,
kurrë gjumë më të rëndë nuk kanë fjetur netët
dhe gratë më të humbura, më të zbrazura.

Po të them e dashur, rreziku po më fton duke qeshur
me gojën pa dhëmbë të një dashurie kafshuese
me çarje në karakter,
qe është një pjesë e qarjes shoqërore,
po më ofrohen detyra, miq e të njohur të shumtë,
të gjithë të lartë nga emrat, por të ulët
nga tensioni i jetës,
përpiqen të më ngrenë duke u kapur pas meje,
po më rrëzojnë ende pa u ngritur.

E dashur, dëgjomë pa shqetësim,
unë do t'i grij, do t'i grij po të them,
në vargjet e mia.

 1
eXTReMe Tracker